''KJO FAQE ËSHTË E ARKIVUAR DHE NUK AZHURNOHET MË. FAQJA E RE ZYRTARE E AGJENCISË PËR PANADALIMIN E KORRUPSIONIT ËSHTË www.apk-rks.net.
JU LUTEMI KLIKONI KËTU PËR TË VIZTUAR FAQEN E RE.

987 - Lajmi_i_plote | AKK

Lajmet

Lajmet


09 December 2011

Konflikti i Interesit te Zyrtarët e Lartë publik i sanksionuar me Ligj.

Shkruan : Esad EJUPI

Personi Zyrtar i Lartë, është i obliguar që në afat prej tridhjetë (30) ditësh nga zgjedhja, vendosja ose emërimi në detyrë me post zyrtar, të bëjë transferimin e të drejtave në udhëheqjen e ndërmarrjes në personin e besuar, kurse brenda afatit prej pesë (5) ditësh nga data e transferimit të këtyre të drejtave ta njoftoj me shkrim Agjencinë. (Neni 14 paragrafi 2, i Ligjit Për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik).

Për shkelje të nenit 8 paragrafët: 1., 2. dhe 6., nenit 9; nenit 11; nenit 12 paragrafët 1., 2. dhe 3. nën – paragrafët 3.1. dhe 3.3., nenit 13; nenit 14 paragrafët 1., 2. dhe 5.; nenit 15 paragrafët 1., 2. dhe 3., nenit 16 dhe nenit 17 të këtij ligji, zyrtari i lartë publik dënohet për kundërvajtje me gjobë nga pesëqind (500) deri dymijepesëqind (2500) Euro”. (Neni 20, paragrafi 1.1 i Ligjit Për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik).

Hartimi, miratimi, implementimi dhe funksionalizimi i Legjislacionit në Kosovë ka qenë njëra nga aktivitetet që kanë bërë institucionet e vendit në këto vitet e para të shtetësisë në krye me Kuvendin e Kosovës si organ legjislativ. Janë hartuar e miratuar një numër i madh i Ligjeve që rregullojnë fusha të caktuara të shoqërisë.

Por, duke qenë se një numër i Ligjeve pas miratimit të tyre kanë hasë në vështirësi në implementim, ose kanë pas mungesa të konsiderueshme, shumë shpejt ishte paraqitur nevoja për ndryshimin, plotësimin apo edhe hartimin e ligjeve të reja.

Kështu ka ndodhur edhe me Ligjin për Parandalimin e Konflikti të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

Për herë të parë Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit (Nr.02/L-133) ishte aprovuar me 02 nëntor 2007, por i njëjti pësoj ndryshime dhe plotësime me Ligjin nr.03/L-155 me 19 nëntor 2009.

Edhe pas ligjit të parë, Për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik (Nr.02/L-133) që ishte nxjerrë në bazë të Kornizës Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme në Kosovë (Rregullorja e UNMIK-ut nr.2001/9, date 15 maj 2001), dhe Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimi e Ligjit Nr.02/L-133 Për Parandalimin e Konfliktit të Interesit (Nr.03/L-155), që ishte nxjerr pastaj në mbështetje të nenit 65.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nuk qe e mjaftueshme që kjo fushë të jetë e rregulluar ashtu si duhet, dhe konform standardeve ndërkombëtare.

Prandaj, në mesin e disa Ligjeve tjera që duhej të ndryshohen, dhe që ka qenë rekomandim edhe i Komisionit Evropian, që të përshtaten edhe me Legjislacionin e BE-së, ka qenë edhe Ligji Për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

Kështu, i bërë rishtazi, dhe duke kaluar nëpër fazat e veta, deri te miratimi në Kuvend, me 31 gusht 2011 i shpallur me dekret nga Presidentja Jahjaga, dhe pastaj i shpallur në Gazetën Zyrtare (Nr.16) me datën 14 shtator 2011, ndërsa 15 ditë më vonë i hyrë në fuqi, ka filluar të zbatohet Ligji Për Parandalimin e Konflikt të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik (Nr.04/L-051).

Me ligjin e ri është rritur numri i personave që Ligji i quan Zyrtar të Lartë publik që ushtrojnë funksione publike e që janë subjekt kryesor i këtij Ligji.

Nocionin Konflikt Interesi, Ligji Nr.04/L-051, e përkufizon në Nenin 6, si vijon: “Konflikt interesi është gjendja e mospajtimit ndërmjet detyrës publike dhe interesave të zyrtarit të lartë, kur ai ka interesa private të drejtpërdrejta ose të tërthorta, personale ose pasurore, të cilat ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në ligjshmërinë, transparencën, objektivitetin dhe paanësinë e tij gjatë ushtrimit të funksionit publik”.

Në këtë Ligj janë rregulluar situatat ose parimet e veprimit apo mosveprimit të zyrtarit të lartë publik, pastaj janë specifikuar cilat janë veprimet e ndaluara për zyrtarin, etj. Ndërsa shumë të rëndësishme janë pikat nga neni 8 i këtij Ligji të cilat paraqesin detyrimet e zyrtarit publik për parandalimin e konflikti të interesit.

Ajo që konsiderohet risi në këtë ligj është rregullimi i situatave rast për rast kur mund të shfaqet konflikti i interesit. Ligji ka parapara që në këto raste Zyrtari i Lartë të bëjë deklarimin e atyre interesave private që do të lidheshin me vendimmarrjen e tij gjatë ushtrimin të funksionit të tij publik.

Ligji për Parandalimin e Konflikt të Interesit ka rregulluar edhe procedurën administrative të Agjencisë për rastet e konfliktit të interesit. Ajo është konfidenciale dhe Agjencia i bënë të njohura vetëm rezultatet përfundimtare të procedurës së zhvilluar (Neni 4 ).

Legjislacioni i mëhershëm për Parandalimin e Konflikti të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik konsiderohej i mangët dhe shpesh herë ishte kritikuar edhe nga organizatat e ndryshme të shoqërisë civile, si jo i përshtatshëm, pikërisht për shkak të mungesës së sanksioneve.

Ky ligj, kësaj radhe, ka paraparë edhe sanksionet për Zyrtarët e Lartë që janë në konflikt interesi dhe që nuk shmangen nga situatat e konflikti të interesit. Do të thotë se çdo shkelje e detyrimeve të përcaktuara me këtë ligj, kur nuk paraqet vepër penale, paraqet kundërvajtje dhe dënohet me gjobë sipas kufijve të përcaktuar në nenin 20 të Ligjit.

Autoriteti qendror për mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të këtij Ligji, vazhdon si edhe më parë të jetë, Agjencia kundër Korrupsionit.

(Autori është Zyrtar i Lartë, për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, në Agjencinë kundër Korrupsionit).

Kthehu tek lajmet tjera