''KJO FAQE ËSHTË E ARKIVUAR DHE NUK AZHURNOHET MË. FAQJA E RE ZYRTARE E AGJENCISË PËR PANADALIMIN E KORRUPSIONIT ËSHTË www.apk-rks.net.
JU LUTEMI KLIKONI KËTU PËR TË VIZTUAR FAQEN E RE.

905 - Lajmi_i_plote | AKK

Lajmet

Lajmet


06 January 2009

Korrupsioni duhet të luftohet dhe eliminohet

Shkruan: Hasan PRETENI 

Ka vetëm disa ditë që përmbyllëm kapitullin e quajtur viti 2008, dhe tani kaluam në faqen e re të kohës - vitin 2009. Nëse kthejmë pak kujtesën dhe mendojmë për sfidat që patëm gjatë vitit 2008, në raport me luftën kundër korrupsionit, nuk do të demonstroja ndonjë pesimizëm dëshpërues. Me aleatin besnik të vazhdueshëm që kemi qytetarin, Agjensioni Kosovar Kundër Korrupsionit u ndesh disa herë gjatë këtij viti pamëshirshëm dhe drejtëpërdrejtë me rrënuesin tendencioz të vlerave demokratike të shoqërisë dhe sulmuesin e rendit dhe ligjit – korrupsionin.

Ndërhyrja në heshtje në parandalimin e keqpërdorimit të miliona eurove të qytetarëve të Kosovës, ndërtimi i infrastrukturës ligjore të nevojshme të kësaj fushe, ofrimi edhe fizik tek qytetarët për t'i vetëdijesuar ata për rëndësinë e bashkëngjitjes së tyre në luftën kundër korrupsionit janë disa nga pikat që na jep kurajo të besojmë se brenda vitit 2009 do të jemi grusht shumë më i fuqishëm kundër korrupsionit.

Sigurisht që në Kosovë ka zëra që do të thoshin se është e pamundur ta çrrënjosësh korrupsionin, pasi ai është pjese e shoqërisë sonë. Megjithëse, mund të ketë një opinion kundër, mendoj se - Po! Është e mundur që korrupsioni nëse jo të zhduket krejtësisht, sepse një gjë të tillë se kanë arritur as vendet më të përparuara, megjithatë të zvogëlohet në atë masë aq të madhe sa ai të mbetet një mikrob, i cili sorollatet pa pasur fuqinë të dëmtojë. Të paktën, kjo vlen për të forcuar luftën kundër tij me besim të fuqishëm në vetëvete. Nëse niset me të kundërtën e këtij besimi atëherë ne nuk kemi rrugëzgjidhje, por vetëm të nënshtrohemi e të jetojmë bashkë me të. Megjithatë, kjo nuk besoj se do të ndodhë, pasi që shoqëria kosovare dëshiron të zhvillohet të ecë përpara, dhe në as një mënyrë të mbetet një “buf”; syhapur, që dëshpërueshëm shikon klanet e ndryshme, duke u pasuruar me paranë publike.

Viti 2009 do të jetë viti i vëmendjes së shtuar i Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Padyshim që lufta kundër korrupsionit është pika më kulminante që monitoruesit e këtij mekanizmi do ta vënë llupën për të shikuar progresin që shteti i ri duhet arritur. Kosova duhet të jetë shumë e vëmendshme, sepse nëse një vend konsiderohet me korrupsion, efektet e interesimit të investimeve të huaja do të jenë zero. 
Nëse shoqëria kosovare ka ndjenjën që korrupsioni jeton me ne çdo ditë të vitit, atëherë të paktën nëse disa muaj do t'i kemi muajt e luftës ndaj tij ne do të kemi bërë të mundur fillimin e procesit të ndryshimit në mendjen e njerëzve, që korrupsioni duhet të luftohet dhe eliminohet.

Prandaj, unë i inkurajoj të gjithë, si liderët insitucionalë, ata opozitarë, shoqërinë civile, mediat etj., që pavarësisht dallimeve në mendime për çështje të ndryshme, të paktën, në luftën kundër korrupsionit që ne kemi nisur, të na bashkohen pa rezervë. Kjo për faktin që suksesi do të jetë i dukshëm. Përparimi do ta zëvendësojë varfërinë në vend, zhvillimi ekonomik do ta zhbëjë ekonominë informate, do të ketë ngritje të vlerave morale të shoqërisë dhe perspektivë për fëmijët tanë.

(Kjo kolumne është botuar në të përditshmen Koha Ditore më 6 janr 2009)

Kthehu tek lajmet tjera