Korrupsioni mbaron me ndihmën tuaj...

0800 10 800

Thirrjet janë pa pagesë, konfidenciale dhe të besueshme!

RAPORTO TANI:

896 - Lajmi_i_plote | AKK

Lajmet

Lajmet


17 July 2008

RAPORT PËR MEDIA

PRISHTINË 17 KORRIK 2008 - Agjensioni Kosovarë Kundër Korrupsionit, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2008 të gjitha informatat e pranuara nga qytetarët e Republikës së Kosovës i ka trajtuar me shumë seriozitet, ndërsa aty ku kemi pasur hapësirën e nevojshme ligjore edhe i kemi hetuar. Kur Agjencioni në rastet e paraqitura gjen elemente korruptuese dhe gjen bazën juridike në Kodin Penal, ato i përcjell në Prokurorit Kompetente duke marrë parasysh se definimi i korrupsionit në Ligjin kundër-Korrupsionit është më i gjerë se ai i sanksionuar me Kodin Penal.
Veprimet e poshtëshënuara AKK i gjykon në aspektin moral, dhe i cilëson ato si jo-etike dhe të dëmshme për përparimin e shoqërisë. Në shenjë të demonstrimit të pakënaqësisë tonë për veprimet e tilla ne po japim disa raste konkrete, por për shkak të ruajtjes se besueshmërisë së burimit dhe për shkak se rastet janë në procedurat hetimore të prokurorisë jemi të detyruar t'ju shmangemi të dhënave personale të atyre që pretendohen se kanë qenë të përfshirë në rastet në fjalë. Megjithëse, jemi shumë të bindur që aktorët e këtyre veprimeve do ta njohin vetën.

Rastet:

• Bashkëshortja e një zyrtari të një Ndërmarrjeje Publike ka marrë vizë për
udhëtim jashtë vendit (udhëtim zyrtarë) duke hyrë në listën e zyrtarëve të asaj ndërmarrjeje, edhe pse nuk ishte në marrëdhënie pune me këtë institucion.

• Në një Gjykatë Komunale, trajtohet rasti për korrupsion ku janë të përfshirë
gjykatësi dhe një qift bashkëshortor, (të punësuar në dy institucione të ndryshme shtetërore). Për të bërë bartjen e lëndës në pronësi, që të tre personat kërkojnë nga qytetari 1500 euro. Qytetari i bindur për të drejtën e pronësisë bashkëpunon me policinë. Përmes masave të fshehta policia arrin ti kap në flagrancë të tre personat e përfshirë në këtë ujdi. Pas procedurës gjyqësore, autori kryesor i këtij veprimi-gjyqtari dënohet me kusht, kurse dy të tjerët (qifti bashkëshortor) marrin dënime më të larta. Ky veprim dëshmon jo profesionalizmin e atyre që është dashur të marrin vendim të drejtë dhe të paanshëm edhe kur është në pyetje kolegu i tyre gjyqtar.

• Në dy gjykata të ndryshme komunale, dy persona nxjerrin vërtetime se nuk janë 
nën hetime kurse, në po të njëjtin muaj Prokuroria Publike e Qarkut ngre aktakuzë kundër personave të njëjtë, që do të thotë se, ata kanë qenë duke u hetuar në Prokurorinë e Qarkut.

• Zyrtarët e një institucioni të pavarur të Republikës së Kosovës, pagat e tyre i
marrin drejtpërdrejt nga thesari duke anashkaluar procedurat e rregullta dhe duke mos i nënshkruar fare listat e pagave. Në të njëjtin institucion , zyrtarët që punojnë brenda orarit të punës në Institucionin e tyre, marrin paga shtesë edhe për angazhime nëpër komisione të ndryshme. Kjo do të thotë se gjatë një orari të punës në të njëjtin institucion marrin më shumë se dy paga

• Në një ministri të Qeverisë së Republikës së Kosovës, avansi për udhëtim zyrtarë
i ngritur në vitin 2006 nuk është arsyetuar ende.

• Ndonëse në vitin 2006 zyra e Auditorit Gjeneral ka regjistruar më shumë se 300
parregullsi nëpër organizatat e mëdha buxhetore megjithatë ende nuk ka as një ndjekje penale.

• Institucionet krijojnë imazh jo të mirë, duke mos i paguar shpenzimet për mallrat
apo shërbimet e pranuara. Biletat e udhëtimit nuk paguhen tre muaj, sikurse shtypi ditor që nuk paguhet dy-tre muaj

• Për të vazhduar kontratën për konsulencë të një eksperti ndërkombëtarë, drejtori i
një institucioni shëndetësor kërkon nga eksperti ndërkombëtar ti blihet një automjet.

• Për të vazhduar kontratën për konsulencë profesionale ndërkombëtare, një
këshilltare e një zyrtareje të institucioneve qendrore kërkon që konsulenti ndërkombëtarë t'i siguroj asaj pranimin në punë në një Universitet Privat në Kosovë.

• Disa avokatë të Republikës së Kosovës lëshojnë dokumente të shumta për jurist të
rinj si “dëshmi”; e pretenduar se ata po e kryejnë praktikën në zyrat e tyre. Juristët e rinj po i shfrytëzojnë këto dëshmi për t'u pranuar në punë duke i ofruar ato si dëshmi për përvojë pune.

• Që nga 19 Shkurti 2008 kur u shkatërruan pikat kufitare në veriun e Kosovës
dogana nuk është prezent në këto dy pika doganore, e gjithashtu as edhe në një pjesë të madhe të territorit, që përfshijnë tri komunat veriore. Malli futet kryesisht përmes vendkalimeve kufitare, portës 1 dhe 31, por një pjesë e konsiderueshme e kompanive nuk lajmërohen në Terminalin Doganor në Mitrovicë për zhdoganim, ku të njëjtin mall pastaj e shesin tek qytetarët në pjesën veriore të Republikës së Kosovës. Kjo situatë ka sjell deri tek rritja e kontrabandës në kufi dhe ngritja e qendrave të ndryshme shitëse (në veçanti pompa të benzinës) në brendi të territorit prej nga shitet malli i kontrabanduar. Shërbimi doganor po bënë përpjekje që përmes vendosjes së pikave kontrolluese lëvizëse në dy rrugët kryesore që sjellin nga veriu i Kosovës të ndalojë mundësinë e depërtimit të këtyre mallrave në pjesë tjetër të Kosovës, por ka vështirësi të shumta në ndalimin e kësaj dukurie.Tani kontrabandistët kanë ndryshuar metodat e veprimit dhe mallin fillimisht e vendosin në pjesën e pakontrolluar nga dogana, kurse më vonë përmes rrugëve dytësore ilegale e transportojnë në pjesën tjetër të Kosovës. Aktualisht autoriteti i vetëm në veriun e Kosovës janë policia e UNMIK-ut dhe KFOR kurse, SHPK me përgjegjësi të kufizuara.

• Një ish-drejtor i Arsimit në një komunë (tani në pozicion në Institucion Qendror) 
për të marrë lejen për pagesën e 50.000 eurove për shlyerjen e borxheve në Komunë, zyrtarit të thesarit i paguan 1000 euro.

• Për rrugët e asfaltuara në vitin e kaluar tani po kërkohen procedurat. Rasti konkret
është në një Komunë të Republikës së Kosovës ku ka filluar procedura e tenderimit për asfaltimin e një rruge, ndërsa e njëjta rrugë është asfaltuar vitin e kaluar.

• Në zyrtarë i lartë është anëtar i dy bordeve të institucioneve që financohen nga
buxheti i Kosovës. Në njërin rast është anëtar i bordit vendimmarrës dhe ai nuk mund të jetë anëtar edhe i një bordi tjetër për shkak se obligohet që ti respektojë 8 orë punë, e aq më tepër kur i njëjti është i punësuar edhe në Universitetin Publik dhe në tri tjera private.


Për shkak të mungesës së hapësirës së nevojshme ligjore për tu marr me rastet e lartë përmendura Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit inkurajon të gjithë individët dhe institucionet që t'iu shmangen praktikave të tilla korruptive sikurse edhe atyre të konfliktit të interesit. AKK po ashtu i bënë thirrje autoriteteve që janë përgjegjëse për luftimin e kontrabandës që të marr masat e nevojshme për fuqizimin dhe aktivizimin e pikave doganore në veri të Kosovës që si rrjedhojë e mungesës së ligjshmërisë atje buxheti i Kosovës po pëson humbje të mëdha.

Kthehu tek lajmet tjera