Drejtori i AKK-së Yll Buleshkaj falënderon mediat për bashkëpunimin në informimin e qytetarëve dhe subjekteve deklaruese për obligimet ligjore për deklarimin e pasurisë
Në përputhje me Ligjin nr. 04/L-228 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 04/L-050 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik, Agjencia kundër Korrupsionit ka bërë sot hedhjen e shortit për kontrollin e plotë të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik.
Nga lista e përzgjedhur sot, Agjencia kundër Korrupsionit do të bëjë kontrollin e plotë të pasurisë të 20% e zyrtarëve që janë të obliguar të deklarojnë pasurinë e tyre. Nga gjithsej 4662 subjekte deklaruese, 932 zyrtarë do t'i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë nga AKK.
Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj ka thënë se kontrolli i plotë i pasurisë do të realizohet në pajtueshmëri të plotë me obligimet ligjore, ndërsa ka falënderuar mediat për bashkëpunimin dhe kontributin që kanë dhënë në kuadër të informimit të qytetarëve përgjatë gjithë procesit të deklarimit të pasurisë.
“Falënderojmë mediat që kanë luajtur një rol të rëndësishëm për informimin e qytetarëve lidhur me deklarimin e pasurisë si dhe informimin e vet zyrtarëve publik në lidhje me detyrimet ligjore për deklarimin e pasurisë” ka thënë Drejtori i AKK-së Yll Buleshkaj.
Për të ofruar transparencë të plotë të procesit të kontrollit të plotë të pasurisë, hedhja e shortit u organizua në bashkëpunimin me mediat dhe Organizatave Jo-qeveritare.
Në linkun në vijim Lista e plotë mund të gjeni listën e plotë të zyrtarëve që kanë deklaruar pasurinë në vitin 2022 dhe listën e zyrtarëve që do t'i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë, sipas hedhjes se shortit lista e kontrollit të plotë.