Prishtinë, 04 Shtator 2018 – Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit,
z. Shaip Havolli priti sot në takim znj. Karoline Edtstadler, zëvendës Ministren e Punëve të Brendshme të Austrisë së bashku me Shkëlqesinë e tij z. Gernot Pfandler, Ambasador i Austrisë në Kosovë dhe një delegacion nga shteti Austriak.
Në këtë takim, z. Havolli e njoftoi znj. Edtstadler për mandatin dhe kompetencat e Agjencisë Kundër Korrupsionit, për punën e deritanishme të këtij institucioni, për ndryshimet legjislative të cilat janë duke u bërë, si dhe për punën që ky institucion bënë në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në Kosovë. Në anën tjetër, znj. Edtstadler, ka konfirmuar mbështetjen e shtetit të Austrisë për Kosovën dhe përkrahjen e institucioneve vendore në përpjekjet për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, rezultatet e të cilave do të kenë efekt pozitiv në liberalizimin e vizave dhe përafrimin e Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për sfidat dhe për proceset integruese që po kalon Kosova, për zotimet e institucioneve Kosovare në angazhimet rajonale dhe ndërkombëtare në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Samiteve rajonale, si dhe për mënyrën e fuqizimit të mëtejme të rolit të Agjencisë Kundër Korrupsionit në luftimin e korrupsionit. Po ashtu, janë diskutuar mënyrat e gjetjes së aktiviteteve dhe projekteve të përbashkëta në edukimin dhe vetëdijesimin e pasojave e korrupsionit dhe për rëndësinë e integritetit të zyrtarëve të lartë publik dhe institucioneve publike.
Z. Havolli ka falënderuar znj. Edtstadler për mbështetjen e shtetit të Austrisë për Agjencinë në përpjekjet e përbashkëta për krijimin e një klime anti-korrupsion. Ndërkaq, znj. Edtstadler së bashku me Ambasadorin z. Pfandler ka garantuar z. Havollin për mbështetjen Agjencisë në luftimin e korrupsionit dhe ka shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit për aktivitetet që kanë për qëllim zbatimin efikas të politikave kundër korrupsionit.